“Interi është një përzierje unike lojtarësh me përvojë dhe talente të reja, me një trajner që ka gjetur formulën e duhur të suksesit”. Me këto fjalë, ish-lojtari i Interit, Lothar Matthaus, ka lavdëruar skuadrën zikaltër, të udhëhequr nga Simone Inzaghi.
Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, gjermani e vlerësoi Interin si skuadër të kompletuar në të gjitha repartet, duke theksuar se mund ta fitojë si kampionatin, ashtu edhe Ligën e Kampionëve: “Interi tani luan me të gjithë si i barabartë.
Po e kalon fazën e grupeve në Champions pa nevojën e ‘play off’-it dhe mund t’i shkojë garës deri në fund. Veç triumfit në Europë, mund ta fitojë sërish titullin e Serie A”.
Matthaus ka shprehur gjithashtu vlerësim të lartë për Calhanoglu, duke e cilësuar si lojtarin kyç të Interit: “Para se të vinte tek Interi, nuk e bënte diferencën në këtë nivel, por duket qartë se ka gjetur klubin e përsosur për të”.
Nuk munguan as krahasimet e shkëlqyera: “Inzaghi po bën atë që bëri Nagelsmann me Toni Kroos në Europianin e fundit; e ka vendosur turkun në qendër të gjithçkaje. Simone iu ka thënë të gjithë lojtarëve, pavarësisht detyrave të tyre, të shikojnë së pari Calhanoglu”.