Skuadra e Shkupit përfundoi një tjetër seancë stërvitore në stadiumin e Çairit në prag të ndeshjes kundër kampionëve të Struga Trim Lum (e diel, ora 13:00).
"Futbollistët e trajnerit Erdem Alparslan seancën e sotme stërvitore e zhvilluan nën reshjet e shiut dhe motit të ftohtë, mirëpo edhe kjo gjë nuk largoi dot buzëqeshjet nga lojtarët tanë.
Një gjë e tillë më së miri mund të vërehet edhe nga fotot e realizuara në stërvitjen e sotme, ku lojtarët tanë me shumë entuziazëm kryenin të gjitha obligimet e dhëna nga kryetrajneri, që sot më shumë akcent i dha lojës në mbajtjen dhe qarkullimin e topit, kontrollin si dhe posedimin.
Më pas ata provuan gjuajtje edhe nga distanca, ku nuk munguan edhe predhat e kryetrajnerit Erdem Alparslan.
Në stërvitjen e sotme, futbollisti i vetëm që mungoi, ishte sulmuesi Emmanuel Avornyo, ndërsa në lëndime të lehta u ankuan edhe Miçel Pinter dhe Fabrice Tamba.
Këto dy të fundit do të jenë nën vëzhgimin e mjekëve të skuadrës, ashtu që për paraqitjen e tyre të dielën, trajneri do të vendos vetëm pas konsultimeve me ekipin mjekësor dhe me vetë futbollistët", ka njoftuar FC Shkupi.