Trajneri i Tiranës, Gugash Magani është shprehur në intervistën e ditës së sotme mbi derbin e ditës së diel. Magani thekson se nuk ka frikë nga Partizani dhe se një ndeshje kaq e luftuar mund të sjell çdo rezultat pavarësisht renditjes momentale. Ajo që gëzon më shumë teknikun e bardhebluve është rikthimi i ‘oksigjenit’ të Tiranës, pra tifozerisë.
“Ka kohë që skuadrat janë në aktivitet. Skuadrat janë gati për çdo gjë. Derbi ka rivalitet historik, si në fushë edhe në tribuna. Janë dy ekipe, që pavarësisht formës e renditjes kanë luftuar në derbi. Do futemi në lojë si të barabartë, për të fituar ndeshjen.
Mua nuk më tremb asgjë. Kam kapacitetet për t’u futur në lojë për të fituar, për shkak të eksperiencës që kam. Statistikat janë staistika. Presioni duket sikur është mbi ne, sepse ne nuk jemi në pritshmëritë që ka klubi.
Partizani është më lartë në renditje. Presionin nuk do e kthejmë në frikë, por në motivim. Jo të kalojmë në aventurë.
Tifozët e Tiranës janë adrenalina e skuadrës. Meritojnë komplimentet për skenat që na dhurojnë. Jam i lumturuar për rikthimin e tyre spse na dhurojnë oksigjen.”, u shpreh Magani.