Barcelona ka mbetur pa fitore për të tretën ndeshje radhazi në La Liga pasi u mposhtën me rezultat 2-1 nga Las Palmasi pasditen e së shtunës.
Të besuarit e Hasni Flick treguan një formë të dobët, ani pse ata besojnë se do të duhet të kishin fituar të paktën një penallti gjatë 90 minutave të luajtura në ‘Estadi Olimpic’.
Ankesa e tyre e parë ka të bëjë me një rast në minutën e 85-të kur Pau Cubarsi duket se bie në tokë pas kontaktit me Mika Marmol, ani pse as gjyqtari në fushë as ai i VAR-it nuk vendosën që kishte mjaftueshëm kontakt për ta dhënë si penallti, raporton Mundo Deportivo.
Incidenti i dytë erdhi në minutat shtesë të pjesës së dytë kur Pau Victor u përpoq që ta arrinte një harkim që ishte dhënë brenda zonës.
Pasi u tërhoq për fanelle në ato momente, Victor ra në tokë dhe menjëherë protestoi në drejtim të gjyqtarit për penallti, por rezultati ishte i njëjti si në rastin e parë – nuk pati kontakt të mjaftueshëm për ta cilësuar si ndërhyrje të palejueshme.
Ky dështim i blaugranasve i ka hapur rrugë rivalit të tyre Real Madridit që në rast se fitojnë nesër (e diel) ndaj Getafes dhe ndeshjen më pak ndaj Valencias, të ‘rrëmbejnë’ kreun e tabelës.
Momentalisht, ekipi i Hansi Flick qëndron si lider në tabelën e klasifikimit me 34 pikë, katër më shumë se Real Madridi që ka 30 sosh, por siç u tha me dy ndeshje më pak.