Tirana dhe Partizani kanë barazuar në derbin e sotëm, sfidë e vlefshme për javën e 15-të të Superiores.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, përfundoi në barazim pa gola 0-0.
Një sfidë “fotokopje” me atë të fazës së parë, ku në derbi mungojnë përsëri golat. Edhe pse Partizani ishte më kërkues sidomos në pjesën e dytë, “të kuqtë” nuk ia dolën që të shënonin.
Vlen të përmendet që në minutën e 28-të u shënua një autogol nga Sembene, që solli festën e Tiranës. Por pas verifikimit në VAR ky autogol u anulua për shkak të një pozicioni të parregullt gjatë aksionit të Tiranës.
Gjithashtu në minutën e 98-të të sfidës, Pano Qirko priti një penallti të goditur nga Fatmir Prengaj. Kështu portieri i “Demave” kthehet në hero, duke nxjerrë të paktën 1 pikë nga kjo sfidë.
Me këtë barazim, Partizani mbetet në vendin e parë me 28 pikë, plus dy nga vendi i dytë që mbahet nga Egnatia. Në krahun tjetër, Tirana mbetet e 7-ta me 16 pikë të grumbulluara.