Një nga temat më të “nxehta” të kohëve të fundit është debati për ndalimin e këngës “Mora Fjalë” për t’u kënduar nga tifozët.
Megjithatë, “Tifozat Kuq e Zi” kanë reaguar mbi këtë situatë.
E vërteta e këngës “Mora Fjalë” në stadium dhe himni zyrtar kuqezi, dy fjalë edhe nga Lorik Cana për spekulimet e fundit
Tifogrupi numër një i Kombëtares shqiptare në një reagim zyrtar sqaron se askush nuk mund t’i ndalë t’i këndojnë Shqipërisë. TKZ thekson se ata do të vazhdojnë që t’i këndojnë atdheut me pasion dhe zemër siç e kanë bërë deri më sot.
Reagimi i Tifozave Kuq e Zi:
Dëshirojmë të sqarojmë situatën lidhur me daljet në media dhe intervistat e dhëna në emër të tifogrupit tonë.
Njoftojmë se Tifozat Kuq e Zi nuk kanë një “Grup Kryesie”, siç pretendojnë disa persona të paautorizuar që janë shfaqur në media dhe televizione të ndryshme.
Ju bëjmë me dije se të gjitha kërkesat për pjesëmarrje në media duhet të dërgohen në adresën zyrtare të emailit: info@tifozatkuqezi.com.
Grupi shqyrton këto kërkesa dhe vendos për përfaqësimin dhe përfaqësuesit zyrtarë në media.
Çdo dalje tjetër në media pa njoftim ose miratim zyrtar nga Tifozat Kuq e Zi do të konsiderohet si qëndrim personal dhe jo si përfaqësim i grupimit tonë.
Lidhur me debatin mbi ndalimin e këngëve apo thirrjeve tona, dëshirojmë të theksojmë se për 21 vite askush nuk ka mundur të na imponojë asgjë, dhe kjo nuk do të ndryshojë. Do të vazhdojmë t’i këndojmë Shqipërisë me zemër e pasion deri në frymën tonë të fundit.
Tifozat Kuq e Zi
O sa mirë me qenë Shqiptar!