Pas një rrugëtimi të gjatë, edicioni i nëntë i kursit të licencimit për trajnerë të nivelit “UEFA Pro”, uli dje siparin me ceremoninë e diplomimit, ku 21 kursantë morën diplomën. Disa prej tyre, pas përfundimit të ceremonisë folën për “fshf.org”.
Zëvendës-trajneri i Kombëtares, Pablo Zabaleta, theksoi se ishte një eksperiencë fantastike dhe vlerësoi FSHF-në për mirëorganizimin e kursit dhe progresin e arritur përgjatë viteve.
“Ka qenë e vështirë dhe një periudhë e gjatë, 1 vit e disa muaj. Kemi ndarë shumë eksperienca me pjesëmarrësit e kursit, të cilët vijnë nga vende të ndryshme, kanë luajtur në shtete të ndryshme dhe pikërisht kjo është e mira e kursit të trajningut, pasi ke mundësinë të ribashkohesh me njerëz që ndajnë me ty eksperiencën e të trajnuarit në shtete të ndryshme. Kursi ishte shumë i mirë, intensiv.
Të gjithë lektorët kanë qenë shumë të mirë.
Dua të uroj Federatën e Futbollit për gjithë punën e bërë dhe progresin e arritur përgjatë viteve. Në këto 2 vite që punoj këtu, mund të shoh si janë përmirësuar gjërat në mënyrë masive: kurset e trajningut, infrastruktura, çdo gjë ka qenë shumë impresionuese” – tha Pablo Zabaleta.
Kursin për trajnerë të nivelit “UEFA Pro” e përfunduan me sukses edhe ish-futbollistë të Kombëtares shqiptare. Armend Dallku falënderoi Federatën e Futbollit dhe Presidentin Duka për mundësinë e dhënë. Ai shtoi se shpreson që kursantët e këtij edicioni të bëjnë hapa të mëdhenj në karrierë.