Juventus-Manchester City është një nga duelet më interesante të kësaj jave në Champions League. Skuadra e Guardiolës rrezikon të fluturojë drejt Torinos me 12 lojtarë të disponueshëm nga ekipi i parë, përveç tre portierëve dhe disa lojtarëve të rinj.
Brenda pak ditësh, Pep Guardiola e sheh veten në një situatë të ngjashme ashtu si ndaj Crystal Palace, ku kishte vetëm dy zëvendësime në dispozicion, Grealish dhe Jeremy Doku. Kjo emergjencë totale e gjen Guardiola në momentin e tij më të vështirë në krye të City-it, me vetëm 1 fitore në 9 ndeshjet e fundit.
Sipas Pep Guardiola-s, Man.City duhet të bëjë në këtë takim pa shërbimet e Foden, Kovacic, Ake, Akanji, Stons dhe sigurisht pa Rodri. Shpresa e vetme e teknikut spanjoll është të paktën të rikuperojë Foden dhe Akanji, por dhe në rastin më të mirë do të jetë në pankinë.
Në të njëjtën kohë, Guardiola, lojtarët dhe tifozët e Man.City janë sy e veshë edhe nga hetimet që po kryhen, ku “qytetarët” akuzohen se kanë shkelur 115 rregulla të “Fair Play Financiar”. Sipas mediave angleze, hetimet janë mbyllur zyrtarisht të premten e shkuar, por vendimi pritet të jepet në 2025.