Barça e Olmo në “luftë” me kohën, regjistrim ose shkëputje e kontratës
Barcelona është duke punuar kundër kohës për të arritur që ta regjistrojë Dani Olmon, i cili i kushtoi plot 47 milionë euro plus bonuse gjatë afatit kalimtar të verës.
Aktualisht, lojtari është i regjistruar në La Liga vetëm deri më 31 dhjetor falë zëvendësimit me të lënduarin Andreas Christensen.
Por, sipas mediumit spanjoll “Mundo Deportivo”, mesfushorit spanjoll mund t’i shkëputet kontrata nëse klubi nuk arrin ta regjistrojë përsëri në afatin kalimtar të janarit ose në verën e ardhshme, duke e përfunduar para kohe kontratën që e kanë lidhur palët deri në verën e vitit 2030.
Kjo mundësi mund t’i sjell probleme gjigantit katalunas pasi përfaqësuesit e tij e kanë përmendur një klauzolë në kontratën e nënshkruar në muajin gusht, nëse dalin probleme eventuale me klubin në të ardhmen.
Në momentin e nënshkrimit të kontratës me Barcelonën, Dani Olmo në fakt kishte pranuar që të regjistrohej për vetëm një sezon, në një situatë të pazakontë, pasi lojtarët zakonisht nënshkruajnë për kohëzgjatje të krejt kontratës.
Sidoqoftë, duke e parë situatën delikate financiare të klubit, përfaqësuesi spanjoll e ka pranuar këtë kërkesë të klubit.
Por, me kalimin e javëve, Barça nuk arriti ta lirojë hapësirën e mjaftueshme në “fair-play” të saj financiar dhe fondet e nevojshme për ta ndalur deficitin e Barça Studios po vonoheshin të arrinin.
Nuk ka pasur të hyra të mjaftueshme, madje as nga shitjet, duke e pasur parasysh se u largua vetëm Gundogan.
Kështu, Olmos iu desh të mungonte në dy ndeshjet e para të kampionatit në pritje të autorizimit për të luajtur.
Mundësia për t’u regjistruar arriti vetëm pas lëndimit afatgjatë të Christensen, një regjistrim që do të ishte valid vetëm deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Në klauzolën e kontratës së lojtarit është cekur që, nëse Barcelona nuk do të mundë ta regjistronte atë në janar apo maksimumi në verën e ardhshme, lojtari ta ketë mundësinë e shkëputjes së kontratës për të nënshkruar me një klub tjetër.
Olmo ishte transferuar në Barcelonë pasi shkëlqeu në Kampionat Evropian me Kombëtaren e Spanjës, me të cilën u shpall kampion i Evropës.