Një talent shqiptar është bërë pjesë e futbollit të rëndësishëm në SHBA, ndonëse është në një moshë shumë të re.
Futbollisti 15-vjeçar shqiptar, Adri Mehmeti, nga sot është pjesë e skuadrës së parë të ekipit të njohur të MLS, Nju Jork Red Bulls.
Klubi i cili së fundmi shkoi deri në finalen e kampionatit të MLS, ka zyrtarizuar nëpërmjet një komunikate firmën me djaloshin 15-vjeçar shqiptar duke e bërë pjesë të ekipit të parë, pasi në të kaluarën ka qenë pjesë e skuadrës së dytë të këtij klubi të njohur.
Mehmeti ka firmosur deri në vitin 2028, me të drejtë për të zgjatur marrëveshjen deri në 2029.
“Adri është një mesfushori i ri i jashtëzakonshëm i cili ka treguar progres të madh në zhvillimin me Nju Jork Red Bulls II në sezonin e kaluar. Ai është një person i shkëlqyer brenda dhe jashtë fushës dhe jemi të gëzuar që e bëjmë pjesë të grupit tonë”, tha drejtori sportiv i Nju Jork Red Bulls, Hulian De Guzman për djaloshin shqiptar.
“Adri ka treguar performanca të mira në ndeshjet e tij me Nju Jork Red Bulls II ashtu si edhe në stërvitje me ekipin e parë. Ai është një lojtar i ri i talentuar dhe presim me padurim ta ndihmojmë që të vazhdojë zhvillimin e tij me ne”, ishin fjalët e trajnerit Sandro Shvartz.
Mehmeti ka përfaqësuar në të kaluarën Shqipërinë me U15, duke marrë pjesë edhe në një turne të UEFA-s në vendin tonë në vitin 2023, ku shënoi një gol. Por më pas, ai u ftua nga përfaqësuesja e kësaj grupmoshe e SHBA-së dhe për momentin përfaqëson këtë të fundit në arenën ndërkombëtare.
Tani për Mehmetin hapen rrugët e futbollit të rëndësishëm, pasi përveçse do të stërvitet me ekipin e parë të një klubi prestigjioz që në moshën 15-vjeçare, do të jetë nën monitorim edhe nga një prej emrave më të rëndësishëm të futbollit botëror. Jurgen Klop nis punën që nga janari 2025 si shefi i departamentit të futbollit të kompanisë Red Bull, me fokusin e pikasjes së talenteve të reja që mund të rriten e bëhen protagonistë në klubet e ndryshme që zotëron kjo kompani, mes të cilëve edhe ekipi i Nju Jork.