Armando Broja ka luajtur vetëm pak minuta në fund të ndeshjes mes Evertonit dhe Ullvërhemptonit, por lëvizjet e tij në fushën e lojës dhe rrezikshmëria që krijoi vazhdimisht për prapavijën e kundërshtarëve, u ka lënë mbresa tifozëve e jo vetëm.
Gazetari britanik Majkëll Boll, i cili mbulon ngjarjet e klubit të Evertonit për “Liverpool Echo”, ka shpjeguar se tashmë skuadra mund të ndryshojë plotësisht fytyrë nëse Broja siguron paraqitje të tilla në të ardhmen.
Trajneri Shon Dajç luan me Kalvert-Ljuin përpara në sulm, ndërsa futbollistë të tjerë me tipare ofensive e mbështesin nga krahët. Por sipas gazetarit britanik, me provën e Brojës, gjërat mund të ndryshojnë, me Evertonin që mund të hedhë në fushë tashmë dy sulmues në qendër.
“Unë e di që ishte një paraqitje prej vetëm 10 minutash, por Armando Broja dukej i gjallëruar në debutimin e tij te Evertoni. Unë kam vënë shpesh në dyshim zëvendësimet e Dajç në të kaluarën, por duket se ai mund të ketë më shumë opsione me të përpara në ndeshjet e ardhshme.
Atij i duhet të vendosë nëse dëshiron të hedhë Brojën menjëherë në qendër apo përkrah Dominik Kalvert-Ljuin, apo këdo tjetër që luan në qendër si një opsion shtesë”, theksoi gazetari, duke bërë të qartë se në klub tani po provonin variante të ndryshme falë aftësive të Brojës.