Milani në këtë sezon po vuan në fushë, por edhe jashtë saj. Shkak ëshstë bërë fakti se nuk ka qetësi sa i përket aspektit organizativ të klubit, me lëvizje të shumta, ku tashëm Zlatan Ibrahimoviç është kthyer në “të plotfuqishmin” e kuqezinjve. Dhe kjo nuk kalon pa pasoja.
Mediat italiane bëjnë të ditur se tashmë Milani nuk ka më një drejtor sportiv. Antonio D’Otavio është larguar nga posti i tij, pas një përplasje këndvështrimesh pikërisht me Ibran, i cili është emëruar si këshilltar nga ”RedBird” por praktikisht po vendos gjithçka në klubin milanez.
D’Otavio ishte pjesë e Milanit që në vitin 2017, teksa kishte mbuluar detyra të ndryshme edhe në akademi dhe departamentin e skautimit. Por një përplasje me Ibrahimoviç para ndeshjes me Atalantën, i ka kushtuar shtrenjtë atij, pasi është arritur në konkluzionin për ndërprerjen e bashkëpunimit mes palëve.
Kjo bën që tashmë vendimet e drejtorit sportiv t’i marrë Ibrahimoviç, një zgjedhje shumë delikate duke pasur parasysh se po afron janari dhe kuqezinjtë të cilët po vuajnë në kampionat, mund të jenë të detyruar të bëjnë ndërhyrje në merkato.