Atalanta - Real, dueli i madh i mbrëmjes në Champions

Futboll

Atalanta - Real, dueli i madh i mbrëmjes në Champions

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 19:53
Foto ilustrim

As ata nuk po e kuptojnë vetveten këtë sezon.

Yjet e Realit të Madridit po kalojnë muaj kaq të çuditshëm saqë në një krah duken të frikshëm, por edhe për t’u hedhur në koshë.

Kampionia e Europës në fuqi është në Itali për t’u ndeshur sonte me Atalantën në Champions, ndërsa prej saj pritet një reagim.

Që nga 22 tetori, ekipi I trajnerit Karlo Ançeloti ka 4 fitore e 4 humbje, përfshi ato ndaj Barcelonës, Milanit e Liverpulit, diçka që as nuk mendohej vitet e fundit.

Shkurt, rrezikohet kualifikimi në Ligën e Kampionëve.

Madrilenët kanë probleme me lëndimet, ndonëse vjen një lajm I madh.

Vinisius kthehet pasi humbi sfidat ndaj Liverpulit, Getafes, Bilbaos dhe Zhironës.

Sidoqoftë, Ançeloti ka një listë të gjatë me mungesa si Alaba, Karvahal, Militao, Kamavinga dhe Mendi.

A ndihet I rrezikuar tekniku Italian?

“Kjo ndeshje nuk vlen më shumë se tri pikë. Po flasim për pikë të rëndësishme për renditjen. Kemi tri ndeshje në dispozicion për të mbledhur pikët që na duhen për t’u kualifikuar. Do të jetë e vështirë të jemi në 8 më të mirët, por duhet të arrijmë raundin e plej ofit. Për fat të keq është pikërisht kështu, por gjithsesi ndeshja nuk vlen më shumë se tri pikë. Për mua është e veçantë të luaj në Itali. Kështu ka qenë gjithmonë, sepse ndihem italian në qind për qind”.

Atalanta në Itali cilësohet “Dea”, pra perëndesha, dhe këtë sezon po e Meriton këtë epitet.

Bergamaskët janë në vend të parë në Serinë A dhe në vend të pestë në Champions.

Italianët nuk kanë shumë shqetësime, pasi shumica e yjeve është e gatshme.

Në infermieri janë Kuadrado, Zapakosta dhe Skamaka, por ekipi ka lojtarë të shkëlqyer si Retegi, Lokman apo De Keteler, pa folur për mbrojtjen, ku spikat kapiteni kuqezi Berat Gjimshiti, që më në fund është kthyer nga dëmtimi.

Trajneri Gasperini është optimist I moderuar.

“Po, skuadrat kanë ndryshuar në krahasim me gushtin, sidomos ne, edhe pse e prisnim atë ndeshje që kur fituam Ligën e Europës. Atë mbrëmje nuk u paraqitëm në mënyrën më të mirë, edhe pse për një orë nuk luajtëm keq.

Na ka mbetur peng ndeshja e humbur në shtëpi me Realin, kur pësuam gol në fund ndërsa luajtëm gati gjithë kohën me 10 lojtarë. Këtë herë do të kemi stadiumin plot, dhe Atalanta është në pozicion të mirë. Reali është gjithmonë mirë. Reali është skuadra me më shumë trofe në botë. Për Bergamon është padyshim një ditë e rëndësishme”.

Dy ekipet janë ndeshur tri herë, dy herë në Champions dhe një herë në finalen e Superkupës, dhe Reali ka fituar gjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat