Open Stage i organizuar nga Federata e Futbollit për seleksionimet e futbollistëve të rinj shqiptarë nga diaspora ka zhvilluar sot sesionin e fundit në “Shtëpinë e Futbollit”, nën vëzhgimin e trajnerëve të ekipeve kombëtare, stafit të Drejtorisë Teknike dhe përgjegjësit të skautizmit në FSHF, Ardi Behari.
Në këtë sesion të fundit ishin pjesëmarrës futbollistë të vitlindjes 2010/2011, të cilët iu nënshtruan testeve fizike dhe zhvilluan ndeshje miqësore.
Djemtë e rinj u aktivizuan në 4 ndeshje dhe më pas u zhvilluan 2 ndeshje finale mes të përzgjedhurve të secilës grup-moshë dhe ekipeve të “Elite Youth Development Academy”. Një test që u dha mundësi edhe djemve të “Elite Youth Development Academy” për të parë nivelin dhe për të matur forcat me moshatarët e tyre që vinin nga jashtë për të marrë pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm.
Kjo nismë e Federatës së Futbollit për të afruar të rinjtë shqiptarë që jetojnë dhe aktivizohen në klube jashtë vendit i jep mundësinë të rinjve që luajnë futboll të shpalosin potencialin e tyre dhe ndihmon stafin Teknik të ekipeve Kombëtare të vlerësojnë futbollistët e talentuar për të qenë pjesë e Kombëtares shqiptare në të ardhmen.