Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi ka lavdëruar trajnerin Luis Enrique pas fitores 3-0 ndaj RB Salzburg në raundin e 6-të të fazës së Ligës së Kampionëve.
Me fitoren ndaj Salzburg, PSG ka shtuar gjasat për të kaluar tutje në Ligën e Kampionëve, derisa Al-Khelaifi thotë se dy ndeshjet e fundit ndaj Man Cityt dhe Stuttgartit janë finale.
“Gjërat po shkojnë mirë. Ishte një ndeshje e rëndësishme për ne, një ndeshje kyçe. Fitorja ishte thelbësore nëse duam të përparojmë në Ligën e Kampionëve. Të gjithë e kuptuan këtë”, tha Al-Khelaifi.
“Ne luajtëm mirë, fituam dhe shënuam shumë, kjo do të rrisë besimin e ekipit. Na pëlqeu ndeshja, por e diela sjell një tjetër lojë të rëndësishme kundër Lyonit”.
“Dy ndeshjet e fundit në Ligën Kampionëve kundër Manchester Cityt dhe Stuttgartit janë finale. Të gjithë e dinë këtë. Tifozët tanë do të jenë atje”, tha presidenti i klubit parisien.
Tutje i pari i klubit parisien ka thënë se ai ka në radhët e veta trajnerin më të mirë në botë.
“Ne po luajmë mirë në çdo ndeshje. Në ndeshjen e fundit (kundër Auxerre), luajtëm mirë edhe pse nuk shënuam. Kam besim te lojtarët. Në këtë ndeshje të Ligës së Kampionëve, ne dominuam për 90 minuta. Ky rezultat do t’u japë të gjithëve shpresë”.
“Në futboll, nëse nuk shënon, është e vështirë të fitosh. Unë gjithmonë kam besuar në PSG-në. Ne kemi trajnerin më të mirë në botë. Së bashku, ne po ndërtojmë një projekt afatgjatë. Ai është një trajner shumë i mirë”, përfundoi presidenti i PSG-së.