Sfida mes Dinamos dhe Tiranës, e programuar për ditën e shtunë në stadiumin “Elbasan Arena”, do të startojë në orën 19:00.
Më parë ishte vendosur që ndeshja të niste në orën 16:00, por me kërkesë të klubit blu është bërë ky spostim orari, me qëllimin për të pasur më shumë tifozë në shkallët e stadiumit. Dinamo luan në Elbasan si skuadër pritëse, kështu që edhe derbet do t’i zhvillojë aty.
Kujtojmë që ndeshja e fazës së parë mes Tiranës dhe Dinamos, që përfundoi në barazim pa gola, u luajt në stadiumin e Vlorës, në një terren jo shumë të përshtatshëm.
“Elbasan Arena” ka një tapet goxha të mirë dhe të shtunën pritet që dy skuadrat të shpalosin vlerat e tyre më të mira.
Në stadium pritet të ketë edhe tifozë elbasanas, duke qenë se skuadra e tyre luan në transfertë këtë fundjavë. Klubi Dinamo do të publikojë këto ditë edhe çmimet e biletave për këtë ndeshje që mbyll fazën e parë të kampionatit.