Liverpooli është ekipi i vetëm me pikë të plota në Ligën e Kampionëve në këtë edicion.
Skuadra e Arne Slot e regjistroi mbrëmë fitoren e gjashtë nga po aq ndeshje, ndërsa triumfoi edhe në duel me Gironën në udhëtim.
Trajneri i “Reds” është treguar i sinqertë, ndërsa i ka dhënë kredite kundërshtarit spanjoll.
“Më vjen keq për Gironën, një skuadër e kualitetit të lartë dhe meriton shumë më shumë se tri pikë, sa i ka marrë deri tash.
E kishin përgatitur lojën mirë, por ne e kemi një portier vërtet të mirë (Alisson). Do më pëlqente shumë ta shihja Darwinin (Nunezin) duke shënuar sepse ka nevojë për një gol dhe për këtë e kam lënë në fushë aq gjatë. Ishte një rrezikim, por kur një sulmues nuk shënon, gjithmonë mendon se nuk ka besim në vetveten”, deklaroi Slot.
Liverpooli është duke kaluar nëpër një formë fantastike në këtë sezon duke qenë aktualisht lider në fazën e ligës në Champions, por edhe në Premierligë.
Përkundër largimit të trajnerit Jurgen Klopp, “Të Kuqtë” e kanë marrë menjëherë veten dhe po tregohen skuadra më në formë në Evropë e momentit..