Ish-mesfushori i Juventusit, Alessio Tacchinardi, ka analizuar situatën aktuale të bardhezinjve në një intervistë për “Pressing”. Pas katër barazimeve radhazi, përfshirë atë të së shtunës kundër Bologna (2-2), Tacchinardi vlerëson karakterin e ekipit, por bën thirrje për ndryshime.
"Ky Juventus ka shpirt, – tha ai. – Në një situatë të vështirë si ajo kundër Interit arriti të reagonte. Edhe ndaj Bologna, pavarësisht fishkëllimave, ka treguar guxim. Nuk ka një lider karizmatik që të tërheqë ekipin, por ka një grup të bashkuar, që di të dalë nga momentet e vështira".
Përsa i përket Thiago Motta, trajnerit bardhezi, Tacchinardi shprehet: "Ky Juventus duhet të bëjë diçka ndryshe. Duke luajtur kështu, po përjeton një regres. E njëjta gjë më ka ndodhur mua te Juventusi i Lippit. Kur ndodh kjo, duhet të provosh diçka të re. Motta është një trajner i mirë, por tani duhet të tregojë se është trajner i madh, në nivelin e Juventusit".
Tacchinardi ndalet edhe te roli i Cristiano Giuntolit, drejtori sportiv i Juventusit: "Kush nuk vepron, nuk gabon, por Juventusi këtë verë mori shumë lojtarë dhe nëse vlerësimet kanë qenë të gabuara, nuk mund të përsëriten në janar. Kjo skuadër ka nevojë për përforcime dhe përmirësime të qarta".
Një mesazh i drejtpërdrejtë për Juventusin ky, që tregon nevojën për një qasje më të freskët dhe vendime më të sakta për të dalë nga situata aktuale dhe për t’u rikthyer në garën për objektivat e mëdha.