Videomesazh i futbollisteve kundër dhunës

Futboll

Videomesazh i futbollisteve kundër dhunës

Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 15:04
Foto ilustrim

Përse është e rëndësishme përfshirja e futbollisteve gjermane në fushatën kundër dhunës ndaj grave

Ekipi kombëtar gjerman i futbollit për gra iu bashkua fushatës së sivjetme të UN Women Germany për sensibilizimin ndaj dhunës kundër grave. Në një video-mesazh, lojtaret mbajnë pankarta me mbishkrime si "Në fakt ai është njeri i mirë" ose "Edhe unë kisha pak faj", të cilat pasqyrojnë justifikimet që shpesh përdoren për të mbrojtur dhunuesit. Videoja u publikua në kuadër të fushatës së organizuar nga UN Women, që zhvillohet çdo vit si pjesë e "Orange Days". Fushata përbëhet nga 16 ditët ndërkombëtare të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, të organizuara nga UN Women çdo vit nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor.

"Shifrat për dhunën ndaj grave dhe vajzave janë tronditëse çdo vit," thotë Giulia Gwinn, futbolliste e FC Bayern München. "Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme për ne që, si ekip kombëtar i femrave, të dërgojmë një sinjal të qartë këtë vit dhe të mbështesim fushatën 'Ngjyroseni Botën Portokalli'.

Studimi: Kur fiton kombëtarja angleze ka më shumë përdhunime

Elke Ferner, drejtuese e UN Women në Gjermani, i tha Deutsche Welle-s se përfshirja e futbollisteve në fushatë është  thelbësore dhe se fushata është shumë e rëndësishme, veçanërisht në kontekstin e futbollit. Një studim i vitit 2022 nga Warwick Business School në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi, se dhuna në familje rritet ndjeshëm (me gati 50%), kur kombëtarja angleze e meshkujve fiton ndeshje të rëndësishme. Aktualisht, nuk ka të dhëna për abuzimin në familje gjatë ndeshjeve të Gjermanisë.

Ferner thotë se tani sporti e ka kuptuar rëndësinë e çështjes. Komiteti Olimpik Gjerman (DOSB) dhe klubet dhe organizatat e tjera sportive po ndihmojnë për të sensibilizuar më shumë në këtë drejtim. Ajo shton se dhuna ndaj grave është një çështje mbarëshoqërore, pavarësisht nga klasa, origjina, feja apo mjedisi shoqëror, siç mund të jetë sporti. "Dhuna ndaj grave ka origjinë strukturore dhe për ta ndryshuar atë duhet të ndryshohen strukturat”, thotë Ferner. 

Klubet sportive në Gjermani dominohen nga burrat

Organizata jofitimprurëse Safe Sport ofron mbështetje të pavarur për personat e prekur nga dhuna seksuale, fizike dhe psikologjike, si në sportin amator, ashtu edhe në atë profesional në Gjermani. Menaxherja e kësaj organizate, Ina Lambert, thotë për DW se, megjithëse rolet gjinore, vitet e fundit janë bërë më fluide, postet drejtuese të klubeve sportive janë ende në dorë të burrave. "Në sportin profesional, ka shumë më pak gra të përfshira në stërvitje. Kjo bën që hapësira të mbetet e dominuar nga meshkujt dhe, si rezultat, edhe strukturat e pushtetit."

Në Gjermani, dhuna më e zakonshme ndaj sportistëve është ajo psikologjike, e cila përfshin fyerje dhe kërcënime, dhe është përjetuar nga 63% e anëtarëve të klubeve sportive, sipas një studimi të vitit 2022. Dhuna seksuale përbën rreth 20% të rasteve, ku hyjnë edhe kontakte seksuale të padëshiruara. Lambert megjithatë është optimiste për të ardhmen, falë programeve sensibilizuese: "Ka shumë punë të mira që po bëhen në drejtimin e duhur, me shumë koncepte të mira për parandalimin, ndërhyrjen dhe përpunimin e dhunës, si dhe më shumë edukim, trajnim holistik dhe fokus në ciklet menstruale të grave."

Së shpejti një qendër hetimore për dhunën në sport

Programet për sensibilizimin e problemit të dhunës ndaj grave në sport, udhëhiqen nga Ministria Federale e Brendshme e Gjermanisë dhe disa lande. Synimi është që deri në vitin 2026 të krijohet një institucion qendror që merret me këtë çështje. Edhe shoqata "Safe Sport" është e përfshirë në proces. Qendra që synohet të ngrihet do të merret jo vetëm me këshillime, por edhe me hetimet e rasteve të raportuara dhe sanksione përkatëse për dhunuesit..

Mbështetja e fushatës nga personalitetet e sportit përbën një ndryshim të madh, por ekspertet mendojnë se një punë e madhe duhet të bërë edhe në shoqëri. Ndryshimi i stereotipeve gjinore dhe normave sociale përbën një sfidë globale,  thotë drejtoresha Ekzekutive e UN Women, Sima Bahous: "Asnjë vend nuk e ka eliminuar ende dhunën ndaj grave. Luftimi i saj kërkon veprime transformuese - investime më të mëdha, inovacion dhe vullnet të palëkundur politik.". DW.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat