FC Drenica ka vendosur ta lirojë nga pozita e trajnerit Bylbyl Sokolin.
Shkak për këtë sipas njoftimit nga klubi u bë angazhimi i Sokolit në politikë.
"Lirimi nga Detyra i Trajnerit të Klubit Futbollistik Drenica
Të nderuar qytetarë dhe tifozë të Klubit Futbollistik Drenica,
Me anë të këtij njoftimi, dëshirojmë t’ju informojmë se, më datë 11.12.2024, trajneri i Klubit Futbollistik Drenica, z. Bylbyl Sokoli, është liruar nga detyra. Ky vendim është marrë pas njoftimit të z. Sokoli, i cili ka vendosur të angazhohet në garën politike.
Vendimi është rezultat i angazhimit të klubit për të ruajtur paanësinë dhe për të shmangur çdo ndikim të mundshëm politik në aktivitetet tona sportive. Klubi Futbollistik Drenica mbetet i vendosur që sporti të qëndrojë i ndarë nga politika ditore, dhe ky hap vjen në përputhje me parimet tona.
Ne duam të falënderojmë z. Sokoli për përkushtimin e tij dhe për sukseset që ka arritur gjatë periudhës së bashkëpunimit.
Në ditët dhe javët në vijim, Klubi Futbollistik Drenica do të njoftojë për emrin e trajnerit të ri, i cili do të vazhdojë udhëheqjen e ekipit në rrugëtimin drejt titullit të kampionit të Ligës së Parë.
Faleminderit për mbështetjen dhe besimin tuaj të vazhdues", njofton FC Drenica.