Lazio i këshillon tifozët të mos udhëtojnë në Amsterdam për duelin ndaj Ajaxit

Futboll

Lazio i këshillon tifozët të mos udhëtojnë në Amsterdam për duelin ndaj Ajaxit

Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 18:28
Lazio

Tifozëve të Lazios u është ndaluar të ndjekin ndeshjen e ekipit të tyre kundër Ajax-it në Ligën e Europës, që zhvillohet në Johan Cruijff Arena, dhe klubi italian ka lëshuar një deklaratë zyrtare duke këshilluar tifozët e tyre “të mos udhëtojnë” drejt kryeqytetit holandez.

Bashkia e Amsterdamit mori vendimin për të ndaluar tifozët vizitorë të jenë në tribuna, pasi UEFA dhe autoritetet lokale e kanë cilësuar ndeshjen si me “rrezik të lartë”, për shkak të problemeve të ndodhura para ndeshjes mes Ajax-it dhe Maccabi Tel Aviv në fillim të nëntorit.

Bashkia e Amsterdamit deklaroi se tifozët e Lazios “nuk janë të mirëpritur” për shkak të rrezikut të lartë të “shprehjeve ekstremiste të djathta, antisemitike, raciste dhe trazirave”.

Si rezultat, klubi i Lazios kujtoi mbështetësit e tyre për kufizimet në fuqi përmes një njoftimi zyrtar të publikuar të mërkurën, duke i nxitur ata që tashmë ndodhen në Amsterdam të “mbajnë një qëndrim bashkëpunues”.

“Ua rikujtojmë tifozëve të Lazios se, për ndeshjen e UEFA Europa League mes Ajax-it dhe Lazios, hyrja në sektorin e tifozëve vizitorë është e ndaluar, sipas dispozitave të autoriteteve lokale,” thuhet në deklaratën e klubit.

“Tifozët në kryeqytetin holandez informohen se Ambasada Italiane ka ngritur një qendër konsullore në Institutin Italian të Kulturës – Keizersgracht 564, 1017 EM Amsterdam – rreth 10 km larg stadiumit, e cila mund të kontaktohet në rast nevoje.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat