Barcelona do të luajë sonte në mbrëmje (21:00) në Dortmund, aty ku Borusia numëron 13 ndeshje radhazi pa humbur në Champions.
Ndërkohë që toka gjermane nuk duket se është dhe aq miqësore për katalanasit, që nuk fitojnë në Gjermani që nga 28 shtatori i vitit 2016.
Tetë vjet të shkuara, Barcelona fitonte 2-1 kundër Gladbahut dhe kjo mbetet fitorja e vetme blaugrana në tetë duelet e fundit në stadiumet gjermane pa llogaritur suksesin 1-0 në Hamburg në Ligën e Kampionëve në sezonin e kaluar ndaj ukrainasve të Shahtjor Donjetskut, i cili luajti atje në shtëpi për shkak të luftës.
Gjatë kësaj kohe, Bajerni i Mynihut e ka mposhtur Barcelonën tre herë, (Liga e Kampioneve), ndërsa ka barazuar tri herë të tjera me Eintrahtin e Frankfurtit (1-1 në Europa League 2021-22), Dortmundin (0-0 në Champions 2019-20) dhe Leverkusenin (1-1 në Ligën e Kampionëve 2015-16).
DORTMUNDI NË SHTËPI – Barcelona do të ketë një tjetër test delikat në transfertë, teksa sonte në mbrëmje do të jetë mysafire në Dortmund. Parashikimet nuk duken të lehta, pasi Borusia e Dortmundit nuk ka humbur në Champions League në shtëpi që nga 3 nëntori 2021. Janë 13 ndeshje radhazi pa humbur në shtëpinë e nënkampionëve aktualë kontinental me bilanc nëntë fitore dhe katër barazime, 28 gola të shënuar dhe vetëm pesë të pësuar.
Skuadra e fundit që ka guxuar të fitojë në Dortmund ka qenë Ajaksi tre vjet më parë. Ndërkohë që rivalë të tjerë të mëdhenj si Mançester Siti, Çelsi, Milani, PSG-ja dhe Atletiko e Madridit kanë provuar gjatë kësaj kohe të marrin kalanë e verdhezinjve, por duke dështuar. Edhe në këtë sezon në Champions, Dortmundi i ka fituar të dyja takimet e luajtura në shtëpi kundër Sëlltikut (7-1) dhe Shturm Gracit (1-0).