Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli e ka nisur mjaft mirë sezonin te Empoli.
Menaxheri i tij, Serxhio Mezi ka dhënë një intervistë për Tribuna.com ku foli për Napolin si dhe skuadrat e tjera që duan shërbimet e futbollistit.
Ai u shpreh se bisedimet me Napolin kanë një vit që kanë nisur dhe se mbrojtësi kuqezi mund të ishte transferuar që në janar.
Por nisur nga fakti se marrëdhëniet mes dy presidentëve të klubeve janë të mira, gjasa ka që transferimi të kryhet. Ai hodhi poshtë se ka pasur bisedime për Interin dhe Juventusin.
Agjenti i Ismajlit tha se trajneri i bardhezinjve Tiago Mota nuk e ka dashur atë kur ishte te Bolonja e duket se nuk ka ndryshuar mendim.
Për mbrojtësin kuqezi, e ardhmja mund të jetë edhe jashtë Italisë. Kjo pasi oferta për të ka pasur edhe nga Turqia e Arabia Saudite dhe sipas Mezit, Ismajli është gati që të pranojë të transferohet nëse përfitimet ekonomike janë të mëdha.