Shqipëria ka “peshkuar” Serbinë, si një nga kundërshtarët e grupit K. Të tjerët për kualifikueset e Botërorit 2026 janë Anglia, Andorra dhe Letonia.
Ekziston mundësia, që sfida në stadiumin “Arena Kombëtare” mes Shqipërisë dhe Serbisë të luhet pa asnjë tifoz serb. Kjo pasi janë katër transferta në total për ta, ndërsa në dy të parët nuk iu lejohen tifozët nga UEFA.
Ndeshja në Zvicër që Serbia luajti për Ligën e Kombeve ka lënë me pasoja serbët. UEFA vendosi më 11 dhjetor të gjobisë federatën serbe për incidentet që sollën tifozët e saj, ndërsa po ashtu nuk lejohen tifozët e tyre në dy ndeshjet e ardhshme si miq.
Kështu vihet në pikëpyetje, nëse do të ketë tifozë serbë në stadiumin “Arena Kombëtare”. Për këtë pritet të mësohen datat e takimeve sepse nëse rezulton që Serbia do të ketë një nga dy transfertat e para në Shqipëri, atëherë asnjë tifoz i tyre nuk mund të jetë i pranishëm.