Dygolëshi i Leos i jep trepikëshin e parë Kazakistanit në kualifikueset e Europianit 2026!
Shqipëria i ka nisur me humbje kualifikueset e Kampionatit Europian të futbollit të sallës për vitin 2026.
Në mbrëmjen e së premtes, pikërisht në sallën olimpike “Feti Borova”, kuqezinjtë e drejtuar nga Erind Resuli janë mundur 2-0 nga Kazakistani.
Nga një gol në çdo pjesë loje, fillimisht me Leo, e më pas me Daribay, Kazakistani ia ka dalë të jetë fitues dhe ta nisi me tre pikë këtë fushatë të kualifikueseve.
Në fakt nuk ka qenë e lehtë për Shqipërinë, që ishte pa Halimin, Azem dhe Shqipërim Brahimin. Por ndërkohë kuqezinjve u del kundër dhe rregullorja, ndërsa brazilianët Kardozo Da Silva dhe Soares De Melo do të duhet të jenë dy vjet rezident në Shqipëri dhe si të tillë po dy vjet do të duhet të aktivizohen në kampionatin vendës. Ndërkohë vetë Kazakistani ka të natyralizuar tre brazilianë e së bashku me trajnerin Kaka bëhen katër.
Gjithsesi Shqipëria e kishte ndërtuar strategjinë me një mbrojtje të fortë dhe kundërsulm të shpejtë.
Misini është munduar ta mbajë në lojë skuadrën, e cila do të duhet të kishte shfrytëzuar më mirë momente kur porta e Kazakistanit ishte e boshatisur nga daljet e Higuitas në sulm. Gjithsesi një humbje 0-2, kurse ndeshja e radhës do të jetë më 18 dhjetor në transfertë me Danimarkën, që luan të shtunën në ora 14:00 ndeshjen e parë me Armeninë në Jerevan.