Ballkani i është kthyer fitores në Superligën e futbollit.
Therandasit e mposhtën Llapin sot me rezultat 2:1, në ndeshjen derbi të xhiros së 17-të të Superligës së futbollit.
Ekipi portokalli e ka dominuar pjesën e parë, ndërsa në atë të dytë më të rrezikshëm ishin mysafirët.
Vendësit avancuan në pjesën e parë me golin që e shënoi Bajram Jashanica nga penalltia, pasi paraprakisht Landrit Rama e preku topin me dorë.
Në pjesën e dytë, kampionët e Kosovës e dyfishuan epërsinë me golin e brazilianit Queven.
Ajo që mundën ta bënin mysafirët ishte ta ngushtonin rezultatin me golin e shënuar me kokë nga Ardit Tahiri, por që ishte i pamjaftueshëm në fund.
Llapi kështu e kaloi ndeshjen e dhjetë pa fitore në Superligë duke përfunduar në pozitat e fundit në tabelë.
E Ballkani me këtë fitore e mori pozitën e dytë në tabelë.