Suhareka e ka regjistruar një fitore të madhe në xhiron e 17-të të Superligës së futbollit.
Pasi e mposhtën Llapin të martën me rezultat të thellë, 4:0, të përzgjedhurit e trajnerit Qëndrim Kida e mposhtën sot edhe Malishevën në udhëtim me rezultat 2:1.
Mevlan Zeka ka qenë hero i të rikthyerit në Superligë pasi i realizoi të dy golat e ekipit verdhezi.
Kështu, sulmuesi gjakovar arriti në kuotën e 12 golave në këtë edicion, që është edhe golashënuesi më i mirë i momentit.
Nga ana tjetër, Malisheva shënoi në pjesën e parë, por goli i Drilon Hazrollajt u anulua nga gjyqtari Genc Nuza pas konsultimit të tij me sistemin VAR për një ndërhyrje të palejuar paraprake.
Mirëpo, Hazrollaj doli në skenë edhe në pjesën e dytë duke e ngushtuar rezultatin, por kjo ishte e tëra që mundi ta bënte ekipi vendës.
Në minutat shtesë, Suhareka mbeti me një lojtar më pak kur me karton të kuq u ndëshkua Eneid Kodra.
Kjo humbje është fatale për Malishevën, e cila e bëri gabimin e dytë pas barazimit me Feronikelin 74.
Ekipi i Bekim Isufit kështu mbetet prapa në garën për titull.
Ndërsa, Suhareka me këto dy fitore brenda një jave do të dimërojë më e qetë.