Vllaznia ka marrë tri pikë ndaj Laçit me fitoren 2-1 në Shkodër, duke përforcuar edhe më shumë pozitat mes katër të parëve.
Shkodranëve u mungonte i gjithë reparti i mbrojtjes për shkak dëmtimesh, ndërsa të tjerë iu shtuan në pjesën e parë me Deliun e të riun Spahija që u detyruan të linin fushën për shkak problemesh fizike.
Megjithatë, gjithçka e zgjidhën në pjesën e dytë dy talentet vendas, Dodaj e Delaj, të cilët shënuan në portën e Dajsinanit duke i dhënë një avantazh të dyfishtë shkodranëve.
Bullari rihapi ndeshjen për miqtë, të cilët u hodhën në sulm me shumë forca në fund. Por rezultati nuk ndryshoi më dhe për Vllazninë erdhën tre pikë që e çojnë më të qetë drejt ndeshjes së fundit të këtij viti në Superiore.