Manchester City riformohet dhe kthehet në rrugën e duhur. Pas eliminimit nga Champions League dhe disfatës së rëndë ndaj Liverpool-it, skuadra e Pep Guardiolës ka reaguar dhe, falë barazimit 0-0 të Arsenalit me Nottingham Forest, është ngjitur në -1 pikë nga vendi i tretë në Premier League. Gara për një vend në Champions është gjithnjë e më e ashpër, me diferenca shumë të vogla mes skuadrave nga vendi i gjashtë deri tek i treti.
Lojtari më i pritur i mbrëmjes ishte Erling Haaland, i cili u rikthye pas dy ndeshjeve jashtë për shkak të një dëmtimi dhe shënoi golin e fitores ndaj Tottenhamit. “
Sigurisht, nuk është kurrë e këndshme të jesh i dëmtuar dhe të mos mund të luash, – tha ai pas ndeshjes, – por duhet të shikosh përpara dhe të qëndrosh pozitiv.
Mund të bëjmë diçka vetëm për të tashmen dhe të ardhmen, sonte ishte e rëndësishme vetëm fitorja. Mundohem të jem në zonë dhe nëse shokët e skuadrës duan të më pasojnë topin, përpiqem ta dërgoj në rrjetë”.
Për vendimin e VAR-it, që konfirmoi anulimin e një goli të tij për një prekje të dyshimtë me dorë, norvegjezi shtoi: “Arbitri (Jarred Gillett) mori vendimin në fushë, duke e cilësuar si faull.
Nuk mendoj se ishte ashtu, ishte një gabim i madh, por jemi njerëz, gabojmë. Ishte një gol i bukur dhe nuk besoj se kishte prekje me dorë, por çfarë mund të bëjmë… Fatmirësisht kemi fituar, jam i lumtur”.
Analiza e ndeshjes: “Mund ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë, por nuk ishte e lehtë. Ata morën vrull dhe energji, kështu që në fund ishte një ndeshje e vështirë. Gjithçka ka të bëjë me fitoren, të jesh i uritur dhe të marrësh tri pikët sa herë që ke mundësi”.
Duke komentuar paraqitjen e portierit të Manchester City, ai nënvizoi: “Ederson është i pabesueshëm, ajo pritje që bëri në fund ishte shumë e rëndësishme. Mendoj se portierët tanë kënaqen duke luajtur këtu”.