Sulmuesi egjiptian i Liverpool, Mohamed Salah, ka deklaruar se po kalon sezonin më të mirë të karrierës, duke ndihmuar jo vetëm ekipin e tij, por edhe shokët e skuadrës që të japin më të mirën.
Tridhjetë e dy vjeçari ka qenë vendimtar për Liverpool këtë sezon, duke shënuar njëzet e pesë gola dhe duke dhuruar gjashtëmbëdhjetë asistime, çka ka ndihmuar skuadrën angleze të kryesojë Premier League me njëmbëdhjetë pikë avantazh ndaj Arsenal.
"Mendoj se ky është sezoni im më i mirë, sepse po i ndihmoj edhe lojtarët përreth meje të përmirësohen. Kështu e ndiej", ka thënë Salah për TNT Sports.
Ylli egjiptian ka theksuar se është në formë të shkëlqyer dhe se po përpiqet të ndikojë te skuadra në çdo aspekt.
"Jam në formë shumë të mirë dhe përpiqem jo vetëm të përmirësohem, por edhe të ndihmoj të tjerët të rriten. Nuk mund ta fitosh kampionatin i vetëm, duhet që edhe lojtarët e tjerë të japin më të mirën", ka shtuar ai.
Salah ka theksuar se kontributi i tij është reflektuar edhe në përmirësimin e bashkëlojtarëve.
"Nëse shikoni numrat e të gjithë lojtarëve, ata janë më të lartë se sezonet e tjera. Plus, asistimet e mia janë më të shumta, që do të thotë se i ndihmoj shumë shokët e skuadrës. Cody (Gakpo v.j.), Lucho (Luis Diaz v.j.) dhe lojtarët e tjerë po kalojnë sezonin më të mirë në karrierën e tyre, prandaj them se ky është sezoni im më i mirë", ka thënë ai, duke veçuar disa prej tyre.
Salah është ndër kandidatët kryesorë për "Topin e Artë", por e ka pranuar se edhe nëse fiton Premier League dhe Champions League me Liverpool, nuk ka siguri se do të fitojë çmimin prestigjioz.
"Le të fitojmë Premier League dhe Champions League, pastaj do të shohim", ka thënë ai. "'Topi i Artë'? Të gjithë e dimë që ndonjëherë përfshihen edhe faktorë të tjerë".