Sprova e radhës për Milanin quhet “Renato Dall’Ara” e Bologna. Nëse kuqezinjtë duan të mbeten në garë për Champions League, ata duhet të mposhtin patjetër Bologna në ndeshjen e prapambetur të kësaj mbrëmjeje, e vlefshme për javën e 9-të të Serie A. Në fakt, për Milanin ka një të nesërme vetëm nëse arrin fitoren.
Pas humbjes kundër Torinos, trajneri Sergio Conceiçao bëri një premtim:
“Dua t’jua them me zemër, sezoni nuk ka përfunduar. Ne jemi këtu të fortë dhe të bashkuar, duam të punojmë deri në fund të sezonit për ta arritur objektivin tonë, që është vendi i katërt.
Dhe për këtë ju garantoj, jam këtu për të punuar ditë e natë. Nëse duhet do të rri në Milanello sa të jetë e nevojshme, nuk më intereson fare, sepse do të jemi aty, konkurrues deri në fund, për ta arritur vendin e katërt”.
Fjalë të sinqerta, duke njohur trajnerin portugez, por që duhet të mbështeten nga rezultatet dhe vazhdimësia. Duke filluar, sigurisht, që nga sot. Cili pritet të jetë formacioni i mundshëm i Milanit? Dilema më e madhe për sot është mesfusha sulmuese, pasi me shumë gjasa një nga “Fab 4” do të mbetet jashtë që nga fillimi.
Ka shumë mundësi që të jetë Joao Felix, pasi dje Conceiçao provoi në Milanello, mes eksperimenteve të ndryshme, një formacion më të kujdesshëm, me Musah dhe Fofana në mesfushë, dhe një treshe sulmuese pas sulmuesit kryesor, e përbërë nga Pulisic, Reijnders dhe Rafael Leao.
Në të majtë u provua edhe Sottil, i cili bëri një paraqitje shumë të mirë kundër Torinos. Sulmues i vetëm do të jetë Santiago Gimenez. Në mbrojtje, Jimenez do të marrë sërish vendin e Walker, Theo do të mbetet në të majtë, ndërsa qendra e mbrojtjes pritet të formohet nga dyshja Thiaw-Pavloviq.