Me zyrtarizimin e 4 skuadrave gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë thuajse “certifikohet” edhe 4-shja që do të përfaqësojë futbollin shqiptar në kupat e Europës sezonin tjetër.
Sepse me shumë gjasa do të jenë të njëjtat skuadra ato që do të diskutojnë titullin kampion në “Final 4” të kampionatit me ato që kanë kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë: Egnatia, Vllaznia, Dinamo dhe Partizani.
Në kampionat kanë mbetur edhe 10 javët e fundit dhe në futboll gjithçka mund të ndodhë, por duket shumë e vështirë që diferenca prej 9 pikësh mes vendit të 4-t (Partizani) dhe vendit të 5-të (Elbasani) të rikuperohet.
Pritet matematika që e gjitha kjo të bëhet zyrtare, megjithatë ka shanse minimale që të ketë ndonjë përmbysje të situatës aktuale. Kushdo që e fiton Kupën, nuk i prish llogaritë për kompeticionet europiane.
LIGA E KAMPIONËVE – I gjithë diskutimi tani është se cili do të jetë ekipi kampion, që ka të drejtën të shkojë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve.
Favori në këtë rast është vërtet i madh, sepse edhe në rast eliminimi nga ky kompeticion, skuadra kampione e Shqipërisë do të mbetej sërish në Europë, por në Ligën e Konferencës, duke përfituar sërish financiarisht.
Tani gara në kampionat fokusohet te 2 vendet e para, që shkojnë në finalen e titullit edhe me barazim.