Serginho, ish-mbrojtësi i Milanit, foli për “Gazzetta dello Sport”, duke u ndalur te momenti që po kalojnë kuqezinjtë: “Shpresa është që situata të përmirësohet.
Deri tani, fatkeqësisht, nuk kemi parë versionin më të mirë të Milanit. Duke parë merkaton e janarit, lufta deri në fund për një vend në Champions League duhet të jetë detyrim”.
Serginho foli për disa nga afrimet e merkatos së dimrit, duke filluar nga Santi Gimenez: “E ka golin në gjak, por i duhet loja dhe shokët e ekipit që ta furnizojnë siç duhet”.
Pastaj për Joao Felix: “Ka teknikë mbresëlënëse, e konsideroj lojtar të një niveli shumë të lartë, përndryshe nuk do të kishte veshur fanellat e Atletico Madrid, Barcelonës dhe Chelsea. Nuk e ka shprehur ende të gjithë potencialin e tij, shpresoj ta bëjë te Milani”.
Ai gjithashtu foli për Walker: “Do të thosha se i ka zgjidhur problemet e Milanit në krahun e djathtë. Një lojtar si ai nuk diskutohet”.
Për Bondo dhe Sottil: “Do ta pasurojnë stolin kuqezi, do të jenë të dobishëm, do ta shihni”.
Një këshillë për Theo Hernandez: “Jo, thjesht një vërejtje. Për mua, ai është mbrojtësi i majtë më i fortë në botë, por nuk duhet të mbingarkohet me shumë përgjegjësi. Nuk mund të shënojë ose asistojë në çdo ndeshje. Për vite ka qenë si ‘Superman’, i ka mësuar keq tifozët”.