Fitorja prej 1-0 të mërkurën ndaj Real Sociedadit, ishte shumë e veçantë për Viniciusin, pasi ishte ndeshja e parë e tij si kapiten i Real Madridit.
Mungesat e Dani Carvajal dhe Federico Valverdes, si dhe ajo e dyshes Vazquez e Modric që ishin në bankën rezervë, bëri që Vinicius të bëhet kapiten i Real Madridit, duke qenë i pesti në listë.
Për Viniciusin ishte një moment goxha special, të paktën kështu tha ai pas ndeshjes për “Real Madrid TV”.
“Është diçka shumë e veçantë për mua, si 24-vjeçar të jem kapiten i Real Madridit në një ndeshje. E veçantë për mua dhe për familjen time”, tha ai.
Vinicius po ashtu shtoi se ai është i hapur që të përjetojë këtë ndjenjë edhe në shumë raste në të ardhmen, duke bërë me dije indirekt se nuk e ka ndërmend largimin nga Reali, pavarësisht interesimit të madh nga Arabia Saudite.
“Është diçka ndryshe ndjenja e të qenurit kapiten i këtij klubi. Dua të bëj histori këtu. Ndeshjen e radhës do të bëj 300 ndeshje me klubin, por unë tash po mendoj për ndeshjen 400 e 500”, shtoi Vinicius.
Për ndeshjen e mbrëmshme, Vini u shpreh i kënaqur me performancën e lojtarëve.
“Kemi luajtur shumë mirë dhe jemi mbrojtur shumë mirë. Dhe ne fituam me një gol shumë të bukur nga Endrick. Po arrijmë versionin më të mirë tonin në momentet më të mira të sezonit”, përfundoi ai.