Salah afër rekordit të ri para largimit nga Liverpooli

Futboll

Salah afër rekordit të ri para largimit nga Liverpooli

Më: 15 maj 2026 Në ora: 13:06
Mohamed Salah

Sulmuesi i Liverpool, Mohamed Salah, pritet të largohet nga “Anfield” në fund të qershorit, duke mbyllur një periudhë të artë në karrierën e tij me klubin anglez.

Gjatë nëntë viteve në ‘Anfield’, reprezentuesi egjiptian ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme, duke fituar ndër të tjera Ligën e Kampionëve dhe dy tituj të Premier League, si dhe një sërë trofesh të tjerë të rëndësishëm.

Salah renditet aktualisht i treti në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e klubit, pas Roger Hunt dhe Ian Rush, duke kaluar emra legjendarë si Steven Gerrard, Robbie Foëler dhe Kenny Dalglish.

Në 440 paraqitje për Liverpoolin, 33-vjeçari ka regjistruar 379 kontribute direkte në gola (gola dhe asistime), një shifër që e rendit ndër lojtarët më produktivë në historinë e futbollit anglez.

Para largimit të tij të mundshëm nga “Anfield”, Salah synon të mbyllë sezonin me një tjetër rekord personal. Ai aktualisht ndan vendin e parë në listën e asistimeve në Premier League për Liverpoolin (92), së bashku me Steven Gerrard, dhe ka mundësinë ta kalojë këtë shifër në ndeshjet e fundit.

Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka konfirmuar se Salah është i gatshëm për përballjen ndaj Aston Villa, pas një problemi në kofshë që e mbajti jashtë dy ndeshjeve të fundit.

Pritet që ai të nisë nga stoli në këtë sfidë, ndërsa mund të ketë minuta edhe në ndeshjen e fundit në “Anfield” ndaj Sunderland, ku tifozët pritet t’i rezervojnë një lamtumirë emocionale një prej ikonave më të mëdha të klubit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat