Kroacia mposhti Slloveninë në provën e fundit para Kupës së Botës

Futboll

Kroacia mposhti Slloveninë në provën e fundit para Kupës së Botës

Nga: K.G. Më: 7 qershor 2026 Në ora: 23:20
Pamje nga ndeshja

Kroacia ka triumfuar ndaj Sllovenisë me rezultat 2:1 në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Varazhdin, që ishte prova e fundit para nisjes për në Kupën e Botës.

Takimi nisi me ritëm të mirë dhe raste nga të dyja skuadrat. Kroacia rrezikoi që në minutën e dytë përmes Ante Budimirit, por goditja e tij përfundoi pranë portës.

Në anën tjetër, Sllovenia ishte shumë pranë golit në minutën e 11-të, kur goditja e Sandi Lovriq përfundoi në shtyllë, pasi Dominik Livakoviq e devijoi lehtë topin.

Deri në fund të pjesës së parë, Jan Oblak ndali një tentativë të rrezikshme të Ivan Perishiq me gërshërë, si dhe një goditje me kokë të Budimirit nga afërsia. Ndërkohë, Livakoviq shpëtoi Kroacinë me një pritje fantastike pasi Zhan Vipotnik u gjend i vetëm përballë tij pas një gabimi të Mateo Kovaçiqit.

Kroacia kaloi në epërsi në minutën e 51-të. Ivan Perishiq udhëhoqi një kundërsulm të shpejtë dhe asistoi për Luka Modriç, i cili me një goditje të saktë nga skaji i zonës shënoi për 1:0. Kapiteni kroat më pas u zëvendësua mes ovacioneve të tifozëve në tribuna.

Megjithatë, Sllovenia nuk u dorëzua dhe në minutën e 83-të arriti të barazojë rezultatin. Martin Baturina humbi topin në gjysmën e vet të fushës, gjë që u shfrytëzua nga Andrazh Shporar, i cili mposhti Livakoviq për 1:1.

Kur dukej se ndeshja do të përfundonte në barazim, Kroacia arriti fitoren në minutën e tretë të kohës shtesë. Mario Pashaliq u gjend më së miri në zonë dhe me një goditje të fuqishme nën traversë vulosi rezultatin përfundimtar 2:1.

Kroacia në Kupën e Botës do të luajë në Grupin L. Ndeshjen e parë do ta zhvillojë më 17 qershor kundër Anglisë në Dallas, më pas më 24 qershor përballet me Panamanë, ndërsa më 27 qershor luan ndaj Ganës. Kroacia të martën udhëton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat