Kombëtarja e Italisë ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në ndeshjet miqësore nën drejtimin e përkohshëm të Silvio Baldinit, duke mposhtur Greqinë me rezultat minimal 1:0.
Pas suksesit ndaj Luksemburgut, “Azzurrët” triumfuan sërish me të njëjtin rezultat dhe edhe kësaj radhe heroi ishte Pio Esposito.
Sulmuesi realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 18-të të ndeshjes, duke finalizuar me këmbë një asistim të bukur nga Ekhator.
Italia kontrolloi lojën për pjesën më të madhe të ndeshjes, duke mbajtur posedimin dhe mos i lënë shumë hapësira kundërshtarit për kundërsulme. Në pjesën e dytë, skuadra italiane ishte pranë golit të dytë, por Koleosho goditi traversën me një tentativë të fuqishme.
Momenti kyç i takimit ndodhi në minutën e 68-të, kur Reggiani, i futur në lojë pas lëndimit të Comuzzo, humbi Douvikas dhe e ndali me faull, duke u ndëshkuar direkt me karton të kuq.
Edhe pse me një lojtar më pak, Italia nuk u tërhoq dhe vazhdoi të luftojë. Greqia ishte pranë barazimit në fund, kur Zafeiris goditi shtyllën, ndërsa Pavlidis testoi disa herë Gianluigi Donnarumma, por portieri italian reagoi me pritje të sigurta.
Pas pesë minutash shtesë, gjyqtari sinjalizoi fundin e takimit, duke vulosur një tjetër fitore për Italinë. Edhe pse ishte vetëm një ndeshje miqësore, paraqitja e italianëve dha sinjale pozitive dhe shpresë për të ardhmen.