Odegaard shpëton Norvegjinë në fund, barazon ndaj Marokut në miqësore

Futboll

Odegaard shpëton Norvegjinë në fund, barazon ndaj Marokut në miqësore

Më: 7 qershor 2026 Në ora: 23:39
Pamje nga ndeshja

Një gol në minutat e fundit nga Martin Odegaard i siguroi Norvegjisë një barazim 1:1 ndaj Marokut, në ndeshjen e fundit miqësore përgatitore të të dyja kombëtareve para Kupës së Botës, e zhvilluar në New Jersey.

Maroku ishte më i mirë në nisje dhe kaloi në epërsi që në minutën e tetë. Brahim Diaz realizoi pas një asistimi nga Abde Ezzalzouli në hyrje të zonës, duke mposhtur me goditje të ulët portierin Orjan Nyland për golin e tij të 14-të me kombëtaren.

Në fushë ishin nga minuta e parë edhe kapiteni i Marokut, Achraf Hakimi, dhe homologu i tij norvegjez Martin Odegaard, vetëm tetë ditë pas finales së Champions League me PSG dhe Arsenalin.

Gjithashtu luajti edhe Erling Haaland, i cili regjistroi paraqitjen e 50-të me kombëtaren norvegjeze.

Pas golit të pësuar, Norvegjia reagoi dhe Kristoffer Ajer ishte pranë barazimit me një goditje me kokë, ndërsa Alexander Sorloth pa t’i anulohej një gol për shkak të një faulli ndaj Noussair Mazraoui.

Maroku mori një goditje të rëndë para fundit të pjesës së parë, kur Mazraoui u largua nga fusha për shkak të një lëndimi, duke shtuar shqetësimet për trajnerin Mohamed Ouahbi para debutimit në Grupin C ndaj Brazilit.

Në pjesën e dytë, marokenët nuk ruajtën të njëjtin ritëm, edhe pse Brahim Diaz ishte pranë golit të dytë. Megjithatë, Norvegjia arriti të barazojë 15 minuta para fundit, kur zëvendësuesi Oscar Bobb asistoi për Martin Odegaard, i cili realizoi golin e pestë me fanellën e kombëtares.

Në fund, Kristian Thorstvedt ishte pranë golit të fitores për Norvegjinë, por goditja e tij me kokë përfundoi jashtë.

Norvegjia tani përgatitet për sfidën ndaj Irakut më 16 qershor, që shënon rikthimin e saj në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1998. Ndërkohë, Maroku – gjysmëfinalist i Botërorit 2022 – do të nisë aventurën ndaj Brazilit, ende i pamposhtur nën drejtimin e Mohamed Ouahbi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat