Mbrojtësi i majtë i Chelseat, Marc Cucurella, vazhdon të ëndërrojë një rikthim te Barcelona.
Sipas raportimit të Mundo Deportivo, futbollisti spanjoll është i gatshëm të presë klubin katalanas, por lëvizja e mundshme varet pothuajse tërësisht nga e ardhmja e Alejandro Balde.
Barcelona po monitoron situatën e ish-produktit të akademisë “La Masia”, i cili nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për t’u rikthyer në klubin ku u formua si futbollist.
Vetë Cucurella kishte deklaruar më herët se do ta kishte të vështirë t’i thoshte jo Barcelonës nëse do të vinte një ofertë konkrete.
Megjithatë, operacioni nuk është i thjeshtë. Drejtuesit blaugrana mund të lëvizin për Cucurellan vetëm nëse krijohet hapësirë në repartin e majtë të mbrojtjes, ndërsa emri që po përmendet më shumë është ai i Alejandro Balde.
Nga ana tjetër, Chelsea nuk pritet ta lëshojë lehtësisht lojtarin, pasi Cucurella mbetet një nga mbrojtësit më të vlerësuar në skuadër dhe ka kontratë afatgjatë. Vlera e tij në treg llogaritet rreth 50 milionë euro, shifër që mund të paraqesë pengesë për katalanasit.