Vdes ish futbollisti i Kosovës

Futboll

Vdes ish futbollisti i Kosovës

Nga: K.G. Më: 4 shtator 2026 Në ora: 20:11
Bedrudin Havolli

Ka ndërruar jetë, ish futbollisti Bedrudin Havolli.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit dhe komunitetin e futbollit dhe sportit në përgjithësi. 

Havolli ka qenë futbollist i Llapit të Podujevës dhe Flamurtarit të Prishtinës.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit llapjan, Bedrudin Havolli.

Bedrudini ishte një emër i veçantë i futbollit kosovar, një mbrojtës i shquar, kapiten me karakter të fortë dhe sportist që, me përkushtimin, sakrificën dhe dashurinë për fanellën, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit të Llapit dhe Flamurtarit të Prishtinës në vitet e 70-ta e 80-ta.

Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në fushën e futbollit. Për shumë vite, si pedagog i kulturës fizike në Podujevë, ai edukoi dhe frymëzoi breza të tërë, duke përcjellë te të rinjtë vlerat e sportit, disiplinës, përgjegjësisë dhe njerëzores.

Me ndarjen e tij nga jeta, futbolli kosovar humbi një nga figurat e një gjenerate që e jetoi sportin me pasion, karakter dhe sakrificë.

Por emri dhe vepra e Bedrudin Havollit do të mbeten pjesë e kujtesës së futbollit dhe brezave që ai edukoi.
Në këto momente të dhimbjes, në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Havolli, për të afërmit, miqtë, ish-bashkëlojtarët dhe të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan Bedrudinin.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Bedrudin Havollin!”, ka shpreh ngushëllime Agim Ademi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat