Rruga Dollc-Gjakovë dëmton bizneset e kësaj ane, humbjet llogariten të jenë miliona euro

Gjakova

Rruga Dollc-Gjakovë dëmton bizneset e kësaj ane, humbjet llogariten të jenë miliona euro

Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 10:09
Rruga Dollc-Gjakovë

E nisur në vitin 2019 në kohën e ish-Qeverisë Haradinaj, rruga Dollc-Gjakovë, ende nuk është përfunduar, ndonëse ka pesë vite që punimet kanë nisur. Disa segmente, janë në përfundim e sipër, e disa ende nuk kanë nisur.  

Përgjatë pesë viteve të fundit, kjo rrugë është përcjellë me telashe si në aspektin e shpronësimeve por edhe neglizhencë të operatorëve, ndërsa nga këto vonesa më së shumti po e pësojnë bizneset e kësaj ane.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve për regjionin e Gjakovës, Argjend Fetahu, ka thënë se humbjet janë të mëdha aspektin ekonomik.

Ai ka thënë se gjendja e kësaj rruge ka vështirësuar edhe qarkullimin e qytetarëve dhe ka dëmtuar veturat e tyre.

“Vështirësitë kanë qenë shumë të mëdhaja sepse nga viti 2019 deri më sot bëhen pesë vite që kur ka filluar ky projekt dhe për komunitetin e bizneseve në regjionin e Gjakovës kanë qenë humbje të mëdha të konsiderueshme në aspektin ekonomik, duke filluar që çdo produkt vjen prej Prishtinës në Gjakovë, si furnizues, si shitës ambulantiv dhe humbjet kanë qenë të mëdha në aspektin ekonomik në Komunën e Gjakovës. Njëkohësisht ka shërbyer edhe për qytetarët të rëndomtë të cilët udhëtojnë, kanë qenë vështirësitë e mëdha si në amortizim por njëkohësisht edhe bizneset kanë pasur humbje edhe në pjesët e automjeteve të cilat kanë investuar në kamionë, kanë pasur defekte e amortizim”, ka thënë Fetahu.

Fetahu ka thënë se si shkak i kësaj gjendjeje të rrugës, kanë ikur edhe investitorë të huaj. Sipas tij, dëm të madh po u shkakton edhe gjendja në ndërtimin e urës në fshatin Meqë.

“Kanë ikur realisht sepse ne si Aleancë Kosovare të Bizneseve jemi tërë kohën në terren, kemi kontakte edhe me investitorë nga jashtë dhe pikërisht është edhe kjo pjesë (gjendja e rrugës) që kanë ikur investitorët nga jashtë pikërisht për këtë rrugë. Tash problem është edhe ura në fshatin Meqë e cila është duke u tejzgjatur për rrethana të panjohura të cilat nuk i dimë dhe apelojmë te Qeveria e Kosovës, te Ministria e Infrastrukturës që të ndërmerr masa sa më shpejtë që kjo urë të përfundojë dhe ky projekt të përfundojë sa më shpejtë, përndryshe kemi humbje të mëdha si regjion i Gjakovës dhe si komunitet i bizneseve”, u shpreh Fetahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat