Fshatrat Dobrosh, Pacaj, Kallavaj dhe zonat e tjera përreth po ankohen se rryma e dobët po u shkakton telashe e dëme në pajisjet e amvisërisë. Nga KEDS-i thonë se s`do të ketë ndonjë investim, por do të përkujdesen për mirëmbajtjen e rrjetit të vjetër.
Për shkak të rrjetit të dobët elektrik, dëmet në ekonomitë familjare, si pasojë e prishjeve në teknikën e amvisërisë janë shumë të mëdha.
Kjo dukuri është duke vazhduar që nga paslufta thonë banorët e fshatrave të Gjakovës, Dobrosh, Pacaj, Kallavaj dhe zonës përreth.
Për më tepër, zyrtarët e KEDS-it thanë se deri në një plan të afërt investiv në atë regjion e vetmja mundësi është mirëmbajtja e rrjetit ekzistues.
“Sa i përket fshatit Dobrosh dhe Zonës përreth aktualisht KEDS-i nuk ka ndonjë plan investiv në linjën e tensionit të ulët megjithatë deri në implementimin e një plani investiv të tillë për tensionin e ulët KEDS-i do të vazhdojë të mirëmbajë linjën elektrike atje në mënyrë që konsumatorët tanë të kenë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike””, tha për RTK, Lulzim Krasniqi nga KEDS.
E deri atëherë, pra deri në një plan të ri investiv të KEDS-it në këtë zonë, banorëve të këtushëm nuk u mbetet tjetër përveç se të shpresojnë që të ketë sa më pak mot të lig dhe dëmet të jenë sa më të vogla.