Qyteti i Gjilanit tashmë ka mbetur pa energji elektrike për disa orë, situatë që pritet të vazhdojë deri në orën 17:00, sipas njoftimit të KEDS-it.
Telegrafi ka kontaktuar me KEDS-in dhe të njëjtit njoftuan se trafoja kryesore në Gjilan është djegur.
“Trafoja kryesore në Gjilan është djegur dhe aktualisht po punohet për ta rregulluar”, thanë nga KEDS.
Ndërsa, Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Hidromorava” ka bërë të ditur se ndërprerja e energjisë elektrike ka ndikuar në ndalimin e punës së fabrikave për përpunimin e ujit, duke ndërprerë kështu furnizimin me ujë për konsumatorët.
“Në mungesë të energjisë elektrike, Fabrikat për Përpunimin e Ujit në Përlepnicë dhe Velekincë, si dhe SP Baja, kanë ndërprerë procesin e përpunimit dhe furnizimin me ujë për konsumatorët,” thuhet në njoftimin e KRU “Hidromorava”.
Kompania thotë se qytetarët se për çdo ndryshim apo zhvillim të ri do të informohen në kohë reale.