Të martën është mbajtur Kuvendi i Punës dhe Kuvendi Zgjedhor i Shoqatës së Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës.
Në rend të ditës ishte miratimi i raportit financiar, miratimi i raportit të punës dhe zgjedhja e kryetarit dhe këshillit drejtues të shoqatës.
Leonard Cula ka udhëhequr shoqatën për dy mandate, përkatësisht për tetë vjet, dhe mandati i tij ka përfunduar.
Në mënyrë unanime janë miratuar raporti i punës dhe raporti financiar.
Po me vendim unanim, kryetar i ri i Shoqatës së Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës është zgjedhur Faruk Shala.
Shala vlerësohet meritor që Istogu është shndërruar në qendër të rëndësishme të hendbollit, sidomos për vajza.
Ai është kryetrajner i KHF Istogut, me të cilën skuadër ka disa vjet që po fiton trofetë e hendbollit.
Po ashtu është trajner në Kombëtaren A të Kosovës (femrat). Faruk Shala është edhe mësimdhënës i Edukatës Fizike.
Kryetari i shoqatës së trajnerëve është edhe anëtar i Bordit të FHK-së.
Këshillin drejtues të shoqatës e përbëjnë edhe Besim Shala, Flamur Salihu, Valbona Hasani – Arifi, Salajdin Krasniqi e Leonard Cula. Këshilli Mbikëqyrës i shoqatës përbëhet nga Taib Kabashi, Mahmut Sadiku e Aziz Zeqa.