Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci sonte para tifozëve të saj sfidon skuadrën e njohur rumune Minau Baia Mare.
Hendbollistët e Rahovecit janë të përkushtuar për të dhënë më të mirën në kërkim të suksesit në raundin e tretë të Kupës Evropiane.
Rahoveci synon fitore në ndeshjen e parë për të shpresuar më pas në kualifikim. Skuadra rumune ka përvojë të gjatë evropiane e përbërje cilësore. Dhe rrjedhimisht llogaritet favorite, por te Rahoveci premtojnë më të mirën e mundshme ndërsa presin përkrahje të madhe nga tribunat.
Palestra pritet të jetë e mbushur me tifozët kosovar në përkrahje të kampionit në të fuqi të Kosovës.
Reprezentuesi i Kosovës, Egzon Gjuka, pritet ta udhëheqë Rahovecin në fushën e lojës. Ai beson se Rahoveci do të mposht skuadrën rumune.
“Kemi analizuar lojën e ekipit rumun. Përparësi presim të jetë tifozëria, që ishte fantastike në ndeshjen me belgët. Besoj se njëjtë do të jenë edhe të shtunën mbrëma. Përparësi tjetër mund të jetë loja e shpejtë ekipore të cilën e aplikojmë. Përballë kemi një ekip të njohur evropian, që në vitet e fundit ka arritur rezultate të mira. Ka lojtarë cilësorë nga Rumania dhe vendet e tjera dhe kjo bën që Minaur Baia Mare të jetë favorit ndaj nesh. Por assessi nuk futemi me flamur të bardhë në këto ndeshje. Së pari do të japim çdo gjë nga vetja që të shënojmë fitore në shtëpi dhe më pas të udhëtojmë për në Rumani për ta mbrojtur atë fitore”, ka thënë Gjuka.
Ndeshja mes Rahovecit dhe Minaur Baia Mare fillon në orën 19:00.