Në fundjavë zhvillohet xhiroja e 12-të e Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Të shtunën janë dy ndeshje e të dielën dy të tjera.
Xhiroja hapet me ndeshjen Trepça – Rahoveci, që zhvillohet të shtunën nga ora 18:00.
Ndeshja zhvillohet në Rahovec pasi parketi në palestrën “Minatori” është duke i renovuar.
Rahoveci nuk pritet të ketë telashe për të shënuar fitoren e 11-të rresht. Trepça është e fundit, pa pikë, ndërsa ka fond të limituar lojtarësh. Punët në “Minatori” vetëm sa kanë vështirësuar gjendjen te skuadra mitrovicase.
Të shtunën takohen edhe rivalët e moçëm, Kastrioti e Prishtina. Kjo ndeshje zhvillohet nga ora 20:00 në Ferizaj.
Kastrioti është i treti në tabelë me 16 pikë, ndërsa ka një ndeshje më pak të luajtur. Prishtina renditet e katërta me 12 pikë.
Të dielën prej orës 13:00 takohen Vjosa e Besa Famgas. Skuadra pejane, Besa, vlerësohet favorite.
Nga ora 18:00 është ndeshja Vushtrria – Llapi. Me shumë mundësi do të jetë ndeshja më rivalizuese e xhiros së 12-të.
Vushtrria është e shtata me gjashtë pikë. Tetë pikë në pozitën e gjashtë i ka Llapi.