Rahoveci e Kastrioti kanë shënuar fitore bindëse në dy ndeshjet e para të xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Kampioni në fuqi, Rahoveci, fitoi 50:27 ndaj Trepçës. “Xehetarët” ishin vendas, por ndeshja u zhvillua në Rahovec për shkak të punimeve në palestrën “Minatori”.
Alban Haziri i kishte 12 gola për Rahovecin, Adonit Isufi gjashtë dhe Arbios Mushkolaj e Mali Luzha nga pesë. Amar Mujka i kishte dhjetë gola për Trepçën, kurse gjashtë i shënoi Alban Mahmuti.
Rahoveci ka 11 fitore rresht dhe udhëheq në tabelë me 22 pikë.
Trepça është e fundit, pa pikë.
Në Ferizaj, po të shtunën, Kastrioti fitoi 42:25 ndaj Prishtinës. Gentrit Brahimi i realizoi tetë gola, Yassine Henahen shtatë e Lulzim Shabani gjashtë.
Oltion Beshiri i shënoi 13 gola për Prishtinën, kurse katër i kishte Gent Bajrami.
Kastrioti është i dyti me 18 pikë nga 11 ndeshje. Prishtina është e katërta me 12 pikë nga 12 ndeshje.