Më 15 dhjetor hendbollistet e Kombëtares së Kosovës do ta mësojnë kundërshtarin e fundit në kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm.
Botërori mbahet në Gjermani e Holandë, ndërsa shorti i fazës së dytë të kualifikimeve evropiane tërhiqet në Vjenë.
Gjermania dhe Holanda si nikoqire, por edhe Franca si kampione në fuqi, kualifikohen direkt për Botëror. Do të kualifikohen direkt edhe tri kombëtaret më të mira të Evropianit që është duke u mbajtur aktualisht, pa llogaritur këtu Gjermaninë, Holandën dhe Francën.
Në shortin e 15 dhjetorit, në vazon e parë do të jenë 11 prej këtyre 14 kombëtareve: Danimarka, Hungaria, Mali i Zi, Norvegjia, Polonia, Rumania, Sllovenia, Zvicra, Suedia, Spanja, Austria, Çekia, Islanda dhe Ishujt Faroe. Tri do të kualifikohen direkt në Botëror, varësisht nga rezultati që kanë në Evropianin që është duke u mbajtur.
Në vazon e dytë do të jenë Maqedonia e Veriut, Kroacia, Turqia, Serbia, Portugalia, Ukraina, Sllovakia, Izraeli, Italia, Kosova dhe Lituania.
Pra kombëtarja jonë do të përballet me një kombëtare të vazos së parë. Kombëtarja më e suksesshme pas dy ndeshjeve kualifikohet në Botëror.
Ndeshjet luhen më 9/10 dhe 12/13 prill të vitit të ardhshëm. Përmes shortit do të përcaktohet Kombëtarja që do të jetë vendase në ndeshjen e parë.
Kombëtarja e Kosovës e ka kaluar me sukses fazën e parë kualifikuese për Botëror. Më 25 tetor fitoi 32:28 ndaj Belgjikës, ndërsa më 26 tetor e mposhti Bosnjë-Hercegovinën me rezultat 32:26. Ndeshjet u luajtën në Hasselt të Belgjikës.
Tani shpresohet për fat në short, ndërsa synimi është kualifikimi historik në Botëror.