Rahoveci i pandalshëm

Hendboll

Rahoveci i pandalshëm

Më: 12 dhjetor 2024 Në ora: 22:06
Pamje nga ndeshja

Rahoveci nuk po ka të ndalur në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Të enjten mbrëma në palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci e fitoi ndeshjen e fortë me Kastriotin me rezultat 35:32.

Ashtu si pritej, ndeshja ishte betejë e vërtetë, ndonëse vendasit vazhdimisht ishin në epërsi. Por ferizajasit nuk kanë ndalur deri në fund përpjekjet për barazim.

“Vreshtarët” nisën takimin me seri 5:1, ndërsa më pas mbajtën epërsi solide deri në fund të pjesës së parë.

Mysafirët nisën më mirë pjesën e dytë dhe pas një serie 4:0 u afruan në 17:16 në minutën e 35-të. Por më pas lojtarët e Rahovecit lidhën tri gola për 20:16.

Kastrioti nuk ia dolet të afrohet më.

Egzon Gjuka udhëhoqi Rahovecin me shtatë gola. Nga gjashtë i kishin Alban Haziri e Antonio Vozila. Arbër Curri kontribuoi në fitore me shumë pritje.

Wadi Chebbi, portieri i Kastriotit, shfaqi formë të lartë sidomos në 40 minutat e parë. Por ferizajasit nuk përfituan shumë nga kjo.

Më efikasi ishte Deniz Terziqi me dhjetë gola. Nga pesë i kishin Vlerson Zherka, Lulzim Shabani, Rron Ramadani e Alecssander Santos.

Rahoveci e shënoi fitoren e 12-të rresht. Udhëheq në tabelë me 24 pikë. Kastrioti është i treti me 18 pikë.

Ndeshja e së enjtes ishte e shtyrë dhe i takoi xhiros së 11-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat