Në Prishtinë luan Franca, superfuqia e padiskutueshme e hendbollit

Hendboll

Në Prishtinë luan Franca, superfuqia e padiskutueshme e hendbollit

Më: 8 prill 2026 Në ora: 15:20
Pamje nga ndeshja

Të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë do të luajnë disa prej hendbollisteve më të mira në botë.
Kombëtarja e Kosovës nga ora 20:15 përballet me Francën, superfuqinë e padiskutueshme të hendbollit botëror.

Lista e sukseseve të Francës është shumë e gjatë.

Në Botërorin e mbajtur muaj më parë, Franca ishte e treta.

Ndërkohë është kampione botërore në vitin 2023, 2017 e 2003.

Francezet i kanë edhe katër medalje të argjendta botërore dhe një të bronztë.

Në Lojërat Olimpike, ngjarjen kryesore sportive, Franca ka fituar medalje në tri edicionet e fundit. Në Rio 2016 fitoi të argjendtën, në Tokio 2020 të artën dhe në Paris 2024 sërish të argjendtën.

Në Evropian, Franca titullin e parë e fitoi në vitin 2018. Ishte e dyta në Evropianin 2020, ndërsa në vitet 2022 dhe 2024 arriti në gjysmëfinale.

Në kualifikimet aktuale, të vlefshme për Euro 2026, Franca i ka fituar bindshëm katër ndeshjet e para. Tashmë është kualifikuar.

Francezet janë favorite absolute në ndeshjen me Kombëtaren tonë. Megjithatë vajzat tona janë të përkushtuara për të dhënë më të mirën për paraqitje sa më të denjë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat